| Chapter 5 |
1 | Naamani, komandant i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i madh dhe shumë i çmuar në sytë e zotit të tij, sepse nëpërmjet tij Zoti i kishte dhënë fitoren Sirisë; por ky njeri i madh dhe trim ishte lebroz. |
2 | Disa banda të Sirisë gjatë një sulmi për plaçkitje kishin marrë me vete nga vendi i Izraelit, si robinjë, një vajzë të vogël që kishte përfunduar si shërbëtore e gruas së Naamanit. |
3 | Ajo i tha zonjës së saj: "Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra". |
4 | Kështu Naamani shkoi tek zoti e tij dhe ia tregoi çështjen, duke thënë: "Vajza nga vendi i Izraelit ka thënë kështu e kështu". |
5 | Atëherë mbreti i Sirisë tha: "Shko, pra, unë do t`i dërgoj një letër mbretit të Izraelit". Ai, pra, u nis duke marrë me vete dhjetë talente argjendi, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë ndërresash. |
6 | I çoi mbretit të Izraelit gjithashtu letrën, në të cilën thuhej: "Kur të të arrijë kjo letër, dije që po të dërgoj shërbëtorin tim Naaman, që ta shërosh nga lebra". |
7 | Mbasi lexoi letrën, mbreti i Izraelit grisi rrobat e tij dhe tha: "A jam unë Perëndia, i pajisur me fuqinë të të shkaktojë vdekjen dhe ngjalljen, që ai më dërgon një njeri për ta shëruar nga lebra? Prandaj shikoni, që ai tani kërkon pretekse kundër meje". |
8 | Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, mësoi që mbreti i Izraelit kishte grisur rrobat e tij, dërgoi t`i thotë mbretit: "Pse i grise rrobat? Le të vijë ai njeri tek unë dhe do të mësojë që ka një profet në Izrael". |
9 | Kështu Naamani erdhi me kuajt dhe me qerret e tij dhe u ndal te porta e shtëpisë së Eliseut. |
10 | Atëherë Eliseu i dërgoi një lajmëtar për t`i thënë: "Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër". |
11 | Por Naamani u zemërua dhe iku, duke thënë: "Ja, unë mendoja: "Ai ka për të dalë me siguri përballë meje, do të ndalet, do të përmëndë emrin e Zotit, Perëndisë së tij, do të lëvizë dorën mbi pjesët e sëmura dhe do të më shërojë nga lebra". |
12 | Lumenjtë e Damaskut, Abanahu dhe Farpari, a nuk janë më të mirë se tërë ujërat e Izraelit? Nuk mund të lahesha në to dhe të bëhem i pastër?". Kështu u kthye dhe iku tërë inat. |
13 | Por shërbëtorët e tij iu afruan dhe i folën, duke i thënë: "Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: "Lahu dhe do të pastrohesh"?". |
14 | Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai pastrua. |
15 | Pastaj u kthye me gjithë suitën e tij te njeriu i Perëndisë, shkoi e u paraqit para tij dhe tha: "Tani e pranoj që nuk ka asnjë Perëndi në gjithë dheun, përveç se në Izrael. Prandaj tani prano një dhuratë, të lutem, nga shërbëtori yt". |
16 | Por ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, në prani të të cilit ndodhem, nuk kam për të pranuar asgjë". Naamani ngulte këmbë që të pranonte, por ai refuzonte. |
17 | Atëherë Naamani tha: "Me qenë se ti nuk do, lejo që t`i jepet shërbëtorit tënd aq tokë sa mund të mbajnë dy mushka, sepse shërbëtori yt nuk do t`u ofrojë më olokauste as flijime perëndive të tjera, por vetëm Zotit. |
18 | Megjithatë Zoti ta falë shërbëtorin e tij për këtë gjë: kur zoti im shkon në tempullin e Rimonit për të adhuruar dhe mbështetet në krahun tim, edhe do të bie përmbys në tempullin e Rimonit; Zoti ta falë shërbëtorin e tij për këtë gjë, kur unë do të bie përmbys në tempullin e Rimonit". |
19 | Profeti i tha: "Shko i qetë!". Kështu u nda prej tij dhe bëri një copë rrugë të mirë. |
20 | Por Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me veten e tij: "Ja, zoti im është sjellë tepër mirë me Naamanin, me këtë Sirian, duke mos pranuar nga dora e tij atë që ai kishte sjellë; |
21 | Kështu Gehazi ndoqi Naamanin; kur Naamani pa që ai vraponte prapa tij, u hodh nga qerrja për t`i dalë përballë dhe i tha: "A shkon çdo gjë mirë?". |
22 | Ai u përgjigj: "Çdo gjë mirë. Zoti im më dërgon të të them: "Ja, pikërisht tani kanë ardhur tek unë nga krahina malore e Efraimit dy të rinj nga dishepujt e profetëve; të lutem, jepu atyre një talent argjendi dhe dy palë rroba"". |
23 | Atëherë Naamani tha: "Të lutem, prano dy talenta!", dhe insistoi me të. Pastaj lidhi dy talenta prej argjendi, në dy thasët me dy palë rroba dhe ua dorëzoi dy prej shërbëtorëve të tij, që i bartën para tij. |
24 | Kur arriti në kodër, mori thasët nga duart e tyre, i rivendosi në shtëpi; pastaj i ktheu prapa njerëzit, që ikën. |
25 | Pastaj shkoi të paraqitet përpara zotit të tij, Eliseu i tha: "Ku ke vajtur, Gehazi?". Ai u përgjigj: "Shërbëtori yt nuk ka vajtur asgjëkundi". |
26 | Por Eliseu i tha: "Fryma ime, vallë a nuk të ka ndjekur, kur ai njeri u kthye prapa nga qerrja e tij që të të dalë përpara? Vallë, tani është çasti për të marrë para, për të marrë rroba, ullishte dhe vreshta, dele dhe lopë, skllevër dhe skllave? |
27 | Prandaj lebra e Naamanit do të të ngjitet ty dhe pasardhësve të tu përjetë". Kështu Gehazi doli nga prania e Eliseut lebroz i tëri, i bardhë si bora. |