Home

Zanafilla

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50


-Reset+

Kapitull 32

1 Ndërsa Jakobi vazhdonte rrugën e tij, i dolën përpara engjëj të Perëndisë.
2 Mbasi i pa Jakobi, tha: "Ky është fushimi i Perëndisë"; dhe e quajti atë vend Mahanaim.
3 Pastaj Jakobi dërgoi para tij disa lajmëtarë vëllait të tij Esau, në vendin e Seirit, në fushën e Edomit.
4 Dhe u dha atyre këtë urdhër duke thënë: "Do t'i thoni kështu Esaut, zotërisë tim: "Kështu thotë shërbyesi yt Jakobi: Unë kam banuar pranë Labanos dhe kam qëndruar aty deri tani;
5 kam qe, gomarë, kope, shërbyes dhe shërbyese; dhe këtë po ja tregoj zotërisë tim, për të gjetur hir në sytë e tu"".
6 Lajmëtarët u kthyen pastaj te Jakobi, duke i thënë: "Vajtëm te vëllai yt Esau; dhe tani ai po vjen vetë që të takohet me ty dhe ka me vete katërqind burra".
7 Atëherë Jakobin e zuri një frikë e madhe dhe një ankth dhe ndau dysh njerëzit që ishin me të, kopetë, bagëtinë e trashë dhe devetë, dhe tha:
8 "Në qoftë se Esau vjen kundër njerit grup dhe e sulmon, grupi që mbetet do të mund të shpëtojë".
9 Pastaj Jakobi tha: "O Perëndi i atit tim Abraham, Perëndi i atit tim Isak, o Zot, që më ke thënë: "Ktheu në vendin tënd dhe pranë fisit tënd dhe unë do të bëj të mirë",
10 unë nuk jam i denjë i të gjitha mirësive dhe i gjithë besnikërisë që ke treguar ndaj shërbyesit tënd, sepse unë e kalova këtë Jordan vetëm me shkopin tim dhe tani janë bërë dy grupe.
11 Çliromë, të lutem, nga duart e vëllait tim, nga duart e Esaut, sepse unë kam frikë nga ai dhe druaj që ai të vijë për të më sulmuar, pa kursyer as nënat as fëmijët.
12 Dhe ti the: "Pa tjetër, unë do të të bëj mirë dhe do t'i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit, që nuk mund të llogaritet se është shumë e madhe"".
13 Kështu Jakobi e kaloi natën në atë vend, dhe nga ato që kishte nëpër duar ai zgjodhi një dhuratë për vëllanë e tij Esau:
14 dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele dhe njëzet desh,
15 tridhjetë deve qumështore me të vegjëlit e tyre, dyzet lopë dhe dhjetë dema, njëzet gomarica dhe dhjetë mëza.
16 Pastaj ua dorëzoi shërbyesve të tij, çdo kope për llogari të vet, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Kaloni para meje dhe lini një farë hapësire midis një kopeje dhe tjetrës".
17 Dhe i dha urdhër të parit: "Kur vëllai im Esau do të të takojë dhe do të të pyesë: "I kujt je ti dhe ku shkon? Të kujt janë këto kafshë para teje?",
18 ti do të përgjigjesh: "Janë të shërbëtorit tënd Jakobit; është një dhuratë e dërguar zotërisë tim Esau; dhe ja, ai vetë po vjen mbas nesh"".
19 Ai i dha të njëjtin urdhër të dytit, të tretit dhe gjithë atyre që ndiqnin kopetë, duke u thënë: "Në këtë mënyrë do t'i flisni Esaut kur do ta takoni;
20 dhe do t'i thoni: "Ja, shërbëtori yt Jakobi është duke ardhur vetë pas nesh"". Sepse thoshte: "Unë do ta qetësoj me dhuratën që më paraprin e pastaj do të shikoj fytyrën e tij; ndofta do të më presë mirë".
21 Kështu dhurata shkoi para tij, por ai e kaloi natën në fushim.
22 Por atë natë ai u ngrit, mori dy gratë e tij, dy shërbëtoret dhe të njëmbëdhjetë fëmijët e tij dhe e kaloi vaun e lumit Jabbok.
23 I mori me vete dhe bëri që të kalonin përruan të gjitha gjërat që zotëronte.
24 Kështu Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë luftoi me të deri në agim.
25 Kur ky burrë e pa se nuk mund ta mundte, i preku zgavrën e ijës; dhe zgavra e ijes së Jakobit u përdrodh, ndërsa ai luftonte kundër tij.
26 Dhe ai tha: "Lërmë të shkoj, se po lind agimi". Por Jakobi iu përgjegj: "Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!".
27 Tjetri i tha: "Cili është emri yt?". Ai u përgjegj: "Jakob".
28 Atëherë ai i tha: "Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar".
29 Jakobi i tha: "Të lutem, tregomë emrin tënd". Por ai iu përgjegj: "Pse e do emrin tim?".
30 Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal".
31 Mbasi ai kaloi Penielin, dielli po ngrihej; dhe Jakobi çalonte për shkak të ijës.
32 Për këtë arësye, deri në ditën e sotme, bijtë e Izraelit nuk e hanë gilcën e kofshës që kalon nëpër zgavrën e ijës, sepse ai njeri kishte prekur zgavrën e ijës së Jakobit në pikën e gilcës së kofshës.