1 Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal.
2 Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu.
3 Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit.
4 Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?
5 Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai.
6 Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.
7 Unë të kërkova dy gjëra; mos m'i moho para se të vdes:
8 largo nga unë falsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme,
9 me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: "Kush është Zoti?", ose, pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.
10 Mos shpif kundër shërbëtorit para të zotit, me qëllim që ai të mos të të mallkojë dhe ti të gjendesh fajtor.
11 Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënen e tyre.
12 Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet.
13 Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare.
14 Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfërit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve.
15 Shushunja ka dy bija, që thonë: "Më jep, më jep!". Ka tri gjëra që nuk ngopen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: "Mjaft!".
16 Sheoli, barku shterp, toka që nuk ngopet me ujë dhe zjarri që nuk thotë kurrë: "Mjaft!".
17 Syrin që tallet me babanë dhe nuk pranon me përbuzje t'i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit, do ta hanë të vegjëlit e shqiponjës.
18 Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh:
19 gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarpërit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë.
20 Kjo është sjellja e gruas që ka shkelur kurorën: ha, fshin gojën dhe thotë: "Nuk kam bërë asnjë të keqe!".
21 Tri gjëra e turbullojnë tokën, madje katër janë gjërat që ajo nuk mund të durojë:
22 një shërbëtor kur bëhet mbret, një budalla që ka bukë me bollëk,
23 një grua të urryer që gjen burrë dhe një shërbëtore që i zë vendin zonjës.
24 Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta:
25 mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë;
26 lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë;
27 karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe;
28 hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve.
29 Tri qënie kanë një paraqitje të bukur, madje katër kanë një ecje madhështore;
30 luani, kafsha më e fortë, që nuk zmprapset para askujt,
31 kali i luftës që ecën i ngrefosur, cjapi dhe mbreti kur është me ushtrinë e tij.
32 Në rast se ke vepruar si budalla duke lartësuar veten tënde ose të ka shkuar mendja, vëre dorën mbi gojë,
33 sepse, duke rrahur qumështin prodhohet gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak prej saj dhe duke shtrydhur mërinë prej saj del grindja.