Home

Mikea

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7


-Reset+

Kapitull 1

1 Fjala e Zotit që iu drejtua Mikeas, Morashtitit, në ditët e Jothamit, të Açazit dhe të Ezekias, mbretër të Judës, dhe i cili pati vegim rreth Samarias dhe Jeruzalemit.
2 Dëgjoni, o mbarë popuj! Kushtoji kujdes, o tokë, me tërë atë që ti përmban! Zoti, Zoti, qoftë dëshmitar kundër jush, Zoti, nga tempulli i tij i shenjtë.
3 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij, zbret dhe ecën mbi lartësitë e tokës;
4 malet shkrihen poshtë tij, dhe luginat treten si dylli para zjarrit, si ujërat që rrjedhin në një brinjë.
5 E tërë kjo për shkak të shkeljes së Jakobit dhe për mëkatet e shtëpisë së Izraelit. Cila është shkelja e Jakobit? Mos vallë Samaria? Cilat janë vendet e larta të Judës? A mos vallë Jeruzalemi?
6 Prandaj do ta katandis Samarian në një grumbull rrënimesh në fushë, në një vend për të mbjellë hardhi. Do t'i rrokullis gurët e saj në luginë dhe do të nxjerrë në shesh themelet e saj.
7 Të gjitha figurat e saj të gdhendura do të copëtohen, tërë fitimet e saj të prostitucionit do të digjen në zjarr dhe tërë idhujt e saj do t'i katandis në shkreti, sepse janë mbledhur me fitimet e prostitucionit, ato do të kthehen në fitime të prostitucionit.
8 Për këtë arsye unë do të nxjerr vajtime dhe rënkime, do të shkoj i zhveshur dhe lakuriq; do të nxjerr ankime angullima si çakalli, klithma të kobshme si të strucit.
9 Plagët e tij në fakt janë të pashërueshme, sepse kanë arritur deri në Judë, kanë arritur deri te porta popullit tim, në vetë Jeruzalemin.
10 Mos e shpallni në Gath, mos qani aspak në Beth-le-Afrah, rrotullohuni në pluhur.
11 Kalo tutje me lakuriqësi të turpshme, o banore e Shafirit; banorja e Tsaananit nuk del më; zija e Beth-Haetselit do t'ju heqë vendin mbi të cilin rri.
12 Banorja e Marothit me të drejtë hidhërohet, sepse një fatkeqësi ka zbritur nga ana e Zotit deri te porta e Jeruzalemit.
13 Lidhi kuajt te qerrja, o banore e Lakishit! Ajo ka qënë fillimi i mëkatit për bijën e Sionit, sepse te ti janë gjetur shkeljet e Izraelit.
14 Prandaj ti do t'i japësh një dhuratë lamtumire Moresheth-Gathit; shtëpitë e Akzibit do të jenë një zhgënjim për mbretërit e Izraelit.
15 Do të të sjell një trashëgimtar të ri, o banore e Mareshahut; lavdia e Izraelit do të arrijë deri në Adullam.
16 Pri flokët dhe rruaj kokën për shkak të bijve të kënaqësive të tua. Zgjero shogën tënde si huta, sepse ata do të shkojnë në robëri larg teje.