1 Dhe pika kryesore e atyre gjërave që po themi është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt,
2 shërbenjës i shenjtërores dhe të tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu.
3 Sepse çdo kryeprift vihet për të ofruar dhurata dhe flijime, prandaj është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka që të kushtojë.
4 Po të ishte Ai mbi dhe, nuk do të ishte as prift, sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhuratat sipas ligjit,
5 që shërbejnë sipas shëmbullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: “Shiko,” tha Ai, “t’i bësh të gji-tha sipas modelit që të qe treguar në mal.”
6 Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira,
7 sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër.
8 Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: “Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,
9 jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t’i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti.
10 Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.
11 Dhe askush nuk do të mësojë më të afërmin e tij, askush vëllanë e vet, duke thënë: "Njih Perëndinë!". Sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi prej tyre,
12 sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre.”
13 Duke thënë "një besëlidhje e re," ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes.