Home

ZBULESA

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22


-Reset+

Kapitull 9

1 Dhe i pesti engjëll i ra borisë, dhe unë pashë një yll që ra nga qielli përmbi tokë; dhe atij iu dha çelësi i pusit të humnerës.
2 Dhe ai hapi pusin e humnerës dhe nga pusi u ngrit një tym si nga një oxhak i madh; dhe dielli dhe ajri u errën nga tymi i pusit.
3 Edhe nga ky tym dolën mbi dhe karkaleca, dhe atyre iu dha një pushtet, i ngjashëm me atë të akrepave të tokës.
4 Dhe atyre iu tha të mos dëmtojnë barin e dheut, asnjë gjelbërim e asnjë dru, por vetëm ata njerëzit të cilët nuk kanë vulën e Perëndisë mbi ballë.
5 Dhe atyre iu dha fuqia të mos i vrasin ata, por t’i mundojnë pesë muaj; dhe mundimi i tyre si mundimi i akrepit, kur pickon.
6 Dhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë atë, edhe do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.
7 Dhe pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë; dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora prej ari dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.
8 Dhe kishin flokë si flokë grash; dhe dhëmbët e tyre ishin si dhëmbë luanësh.
9 Dhe kishin parzmore si parzmore hekuri, dhe ushtima e krahëve të tyre ishte si ushtima i shumë qerrëve dhe kuajve që rendin në luftim.
10 Dhe kishin bishtra që u ngjanin akrepave dhe me thumb në bishtrat e tyre: në të cilat qëndronte fuqia të dëmtonin njerëzit për pesë muaj.
11 Dhe për mbret përmbi ta kishin engjëllin e humnerës, emri e tij në hebraisht është Abadon dhe në greqisht emrin e ka Apolion.
12 Mjerimi i parë kaloi; ja, po vijnë edhe dy mjerime paskëtaj.
13 Dhe i gjashti engjëll i ra borisë, dhe dëgjova një zë nga të katër brirët e altarit të artë që është përpara Perëndisë,
14 që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte borinë: “Zgjidh të katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e madh, Eufratin.”
15 Atëherë të katër engjëjt, që ishin përgatitur për atë orë, ditë, muaj dhe vit, u zgjidhën që të vrasin të tretën pjesë të njerëzve.
16 Dhe numri i ushtarëve të kalorësisë ishte dyqind milion: dhe unë e dëgjova numrin e tyre.
17 Dhe kështu unë pashë në vegim kuajt dhe ata që i kalëronin; ata kishin parzmore ngjyrë zjarri, hiacinti dhe squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh dhe nga gojët e tyre dilte zjarr, tym dhe squfur.
18 Nga këto të tri plagë u vra e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri, që dilnin nga gojët e tyre.
19 Sepse pushteti i tyre në fakt ishte në gojën e tyre dhe në bishtrat e tyre; sepse bishtrat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, që kanë koka dhe me anë të tyre dëmtonin.
20 Dhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan nga veprat e duarve të tyre që të mos nderojnë demonët dhe idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri dhe druri, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin;
21 dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurvërimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.