34
1 Pastaj Moisiu u ngjit nga fusha e Moabit në Malin Nebo, në majën e Pisgahut, që ndodhet në bregun e kundërt të Jerikos. Dhe Zoti i tregoi tërë vendin e Galaadit deri në Dan, 2 tërë Naftalin, vendin e Efraimit dhe të Manasit, tërë vendin e Judës deri në detin perëndimor, 3 Negevin dhe fushën e luginës të Jerikos, qytet i palmave, deri në Tsoar. 4 Zoti tha: “Ky është vendi që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: “Unë do t’ua jap pasardhësve tuaj”. Ti e pe me sytë e tua, por nuk do të hysh në të!”. 5 Kështu Moisiu, shërbëtori i Zoit, vdiq aty, në vendin e Moabit, simbas fjalës së Zotit. 6 Dhe Zoti e varrosi në luginën e vendit të Moabit, përballë Beth-Peorit; dhe askush nuk e ka mësuar deri më sot vendin e varrit të tij. 7 Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq; shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur. 8 Bijtë e Izraelit e qanë në fushat e Moabit tridhjetë ditë; pastaj ditët e zisë dhe të vajtimit për Moisiun morën fund. 9 Atëherë Jozueu, bir i Nunit, u mbush me frymën e diturisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të; kështu bijtë e Izraelit iu bindën atij dhe vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Moisiun Zoti. 10 Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy, 11 në të gjitha shenjat dhe mrekullitë që Zoti e dërgoi të bënte në vendin e Egjiptit para Faraonit, para tërë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit të tij, 12 në të gjithë madhështinë e fuqisë dhe në të gjitha gjërat e mëdha dhe të tmerrshme që Moisiu kreu përpara syve të të gjithë Izraelit.