1 Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau.
2 Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin kundër Moisiut dhe kundër Aaronit dhe tërë asambleja u tha atyre: "Sikur të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë!
3 Pse Zoti na çon në këtë vend që të biem nga goditja e shpatave? Gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut. A nuk do të ishte më mirë për ne të kthehemi në Egjipt?".
4 Dhe i thanë njëri tjetrit: "Të zgjedhim një kryetar dhe të kthehemi në Egjipt!".
5 Atëherë Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të bijve të Izraelit.
6 Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jenufehut, që ishin ndër ata që kishin vëzhguar vendin, grisën rrobat e tyre,
7 dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë.
8 Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, "një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".
9 Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata".
10 Atëherë tërë asambleja foli për t'i vrarë me gurë; por lavdia e Zotit iu shfaq në çadrën e mbledhjes tërë bijve të Izraelit.
11 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes të tyre?
12 Unë do ta godas me murtajë dhe do ta shkatërroj, por do të bëj prej teje një komb më të madh dhe më të fuqishëm se ai".
13 Moisiu i tha Zotit: "Por do ta dëgjojnë Egjiptasit, nga mesi i të cilëve e ke ngritur këtë popull për fuqinë tënde,
14 dhe do t'ia bëjnë të ditur banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar që ti, o Zot, je në mes të këtij populli, i shfaqesh atij sy për sy, që reja jote qëndron mbi ta dhe që ecën para tyre ditën në një kolonë reje dhe natën në një kolonë të zjarrtë.
15 Tani në se e bën këtë popull të vdesë si një njeri të vetëm, kombet që kanë dëgjuar namin tënd do të flasin, duke thënë:
16 "Me qenë se Zoti nuk ka qenë i zoti ta futë këtë popull në vendin që ishte betuar t'i jepte, e vrau në shkretëtirë".
17 Por tani, të lutem, le të shfaqet fuqia e Zotit tim në madhështinë e saj, ashtu si fole duke thënë:
18 "Zoti është i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar fajtorin, duke dënuar paudhësinë e etërve te bijtë, deri në brezin e tretë ose të katërt".
19 Fale paudhësinë e këtij populli, me madhështinë e mëshirës sate, ashtu siç e ke falur këtë popull nga Egjipti deri këtu".
20 Atëherë Zoti tha: "Unë fal, ashtu si kërkove ti;
21 por, ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, e gjithë toka do të jetë plot me lavdinë e Zotit,
22 dhe tërë këta njerëz që kanë parë lavdinë time dhe mrekullitë që kam bërë në Egjipt e në shkretëtirë, dhe më kanë tunduar dhjetë herë dhe nuk e kanë dëgjuar zërin tim,
23 me siguri nuk kanë për ta parë vendin që u betova t'u jap etërve të tyre. Askush nga ata që më kanë përçmuar nuk ka për ta parë;
24 por shërbëtorin tim Kaleb, duke qenë se veproi i shtyrë nga një frymë tjetër e më ka ndjekur plotësisht, unë do ta fus në vendin ku ka shkuar; dhe pasardhësit e tij do ta zotërojnë.
25 Amalekitët dhe Kananejtë banojnë në luginë, nesër kthehuni prapa dhe nisuni drejt shkretëtirës, në drejtim të Detit të Kuq".
26 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
27 "Deri kur do të duroj këtë asamble të keqe që murmurit kundër meje? Unë dëgjova murmuritjet që bëjnë bijtë e Izraelit kundër meje.
28 U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, unë do t'ju bëj atë që kam dëgjuar prej jush.
29 Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë; ju të gjithë që jeni regjistruar, nga mosha njëzet vjeç e lart, dhe që keni murmuritur kundër meje,
30 nuk do të hyni me siguri në vendin ku u betova se do të banoni, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefunehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.
31 Të vegjlit tuaj përkundrazi, që ju thatë se do të ishin viktima të armiqve, do t'i fus; dhe ata do të njohin vendin që ju keni përçmuar.
32 Por sa për ju, kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë.
33 Dhe bijtë tuaj do të kullosin kopetë në shkretëtirë dyzet vjet me radhë dhe do të mbajnë ndëshkimin për pabesitë tuaja, deri sa të treten kufomat tuaja në shkretëtirë.
34 Në bazë të numrit të ditëve që keni përdorur për të vëzhguar vendin, domethënë dyzet ditë, për çdo ditë do të mbani fajin tuaj një vit, gjithsej, pra, dyzet vjet; dhe kështu do të kuptoni se ç'do të thotë që unë jam tërhequr nga ju.
35 Unë, Zoti, fola; me siguri, kështu do të veproj kundër gjithë kësaj asambleje të keqe që u mblodh kundër meje; në këtë shkretëtirë do të treten dhe këtu do të vdesin".
36 Njerëzit që Moisiu kishte dërguar për të vëzhguar vendin, mbas kthimit të tyre e kishin shtyrë tërë asamblenë të murmuriste kundër tij, duke paraqitur një raport të keq për vendin,
37 ata njerëz, që kishin përpiluar raportin e keq për vendin, vdiqën nga një plagë përpara Zotit.
38 Por Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jefunehut, mbetën të gjallë midis gjithë atyre që kishin shkuar të vëzhgonin vendin.
39 Atëherë Moisiu u njoftoi këto fjalë tërë bijve të Izraelit, dhe populli ndjeu një dhimbje të thellë.
40 U ngritën herët në mëngjes dhe u ngjitën në majë të malit, duke thënë: "Ja ku jemi; ne do të ngjitemi në vendin për të cilin na foli Zoti, sepse kemi mëkatuar".
41 Por Moisiu tha: "Pse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t'ju dalë mbarë.
42 Mos u ngjitni, sepse do t'ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush.
43 Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kananejtë, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit, Zoti nuk do të jetë me ju".
44 Me gjithë atë ata patën guximin të ngjiten në majë të malit; por arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i kampit.
45 Atëherë Amalekitët dhe Kananejtë, që banonin mbi këtë mal, zbritën poshtë, i thyen dhe i vunë përpara deri në Hormah.