Home

Numrat

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36


-Reset+

Kapitull 34

1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Urdhëro bijtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin e Kanaanit, ky është vendi që ju takon si trashëgimi, vendi i Kanaanit me këta kufij të veçantë:
3 Kufiri juaj jugor do të fillojë në shkretëtirën e Tsinit, gjatë kufirit të Edomit; kështu kufiri juaj do të shtrihet nga skaji i Detit të Kripur në drejtim të lindjes;
4 kufiri juaj do të shkojë pastaj nga e përpjeta e Akrabimit, do të kalojë nëpër Tsin dhe do të shtrihet në jug të Kadesh-Barneas; do të vazhdojë pastaj në drejtim të Hatsar-Adarit dhe do të kalojë nëpër Atsmoni.
5 Nga Atsmoni kufiri do të kthejë deri në përroin e Egjiptit dhe do të përfundojë në det.
6 Kufiri juaj në perëndim do të jetë Deti i Madh; ky do të jetë kufiri juaj perëndimor.
7 Ky do të jetë kufiri juaj verior: duke u nisur nga Deti i Madh do të caktoni kufirin tuaj deri në malin Hor;
8 nga mali Hor do të caktoni kufirin tuaj deri në hyrje të Hamathit, dhe skaji i kufirit do të jetë në Tsedad;
9 kufiri do të vazhdojë pastaj deri në Zifron dhe do të mbarojë në Hatsar-Enan; ky do të jetë kufiri juaj verior.
10 Do ta vijëzoni kufirin tuaj lindor nga Hatsar-Enani deri në Shefam;
11 kufiri do të zbresë nga Shefami në drejtim të Riblahut, në lindje të Ainit; pastaj kufiri do të zbresë dhe do të shtrihet deri sa të arrijë bregun lindor të detit të Kinerethit;
12 pastaj kufiri do të zbresë në drejtim të Jordanit, për të arritur deri në Detin e Kripur. Ky do të jetë vendi juaj me kufijtë e tij rreth e qark".
13 Kështu Moisiu u njoftoi këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Ky është vendi që do të merrni si trashëgimi duke hedhur short, dhe që Zoti ka urdhëruar t'u jepet nëntë fiseve e gjysmë,
14 sepse fisi i bijve të Rubenit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe fisi i bijve të Gadit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe gjysma e fisit të Manasit e kanë marrë trashëgiminë e tyre.
15 Këto dy fise e gjysmë e kanë marrë trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos, në drejtim të lindjes".
16 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
17 "Këta janë emrat e burrave që do të kryejnë ndarjen e vendit midis jush: prifti Eleazar dhe Jozueu, bir i Nunit.
18 Do të merrni edhe një prijës nga çdo fis, për të bërë ndarjen e vendit.
19 Këta janë emrat e burrave: Kalebi, bir i Jefunehut, nga fisi i Judës;
20 Shemueli, bir i Amihudit, nga fisi i bijve të Simeonit;
21 Elidadi, bir i Kislonit, nga fisi i Beniaminit;
22 prijësi Buki, bir i Joglit, nga fisi i bijve të Danit;
23 prijësi Haniel, bir i Efodit, për bijtë e Jozefit, nga fisi i bijve të Manasit;
24 prijësi Kemuel, bir i Shiftanit, për fisin e bijve të Efraimit;
25 prijësi Elitsafan, bir i Parnakut, për fisin e bijve të Zabulonit;
26 prijësi Paltiel, bir i Azanit, për fisin e bijve të Isakarit;
27 prijësi Ahihud, bir i Shelomit, për fisin e bijve të Asherit;
28 dhe prijësi Pedahel, bir i Amihudit, për fisin e bijve të Neftalit".
29 Këta janë burrat të cilët Zoti i urdhëroi t'u jepnin trashëgiminë bijve të Izraelit në vendin e Kananit.