1 Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit. Ai ishte me të vërtetë i parëlinduri, por me qenë se kishte përdhosur shtratin e të atit, parëbirnia iu dha bijve të Jozefit, birit të Izraelit; kështu gjenealogjia nuk jepet në bazë të parëbirnisë.
2 Ndonëse Juda mbizotëroi mbi vëllezërit e tij dhe nga ai rrodhi një shef, e drejta e parëbirnisë i takonte Jozefit.
3 Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, ishin Hanoku, Pallu, Hetsroni dhe Karmi.
4 Bijtë e Joelit ishin Shemejahu, bir i të cilit ishte Gogu, bir i të cilit ishte Shimei,
5 bir i të cilit ishte Mikahu, bir i të cilit ishte Reajahi, bir i të cilit ishte Baali,
6 bir i të cilit ishte Beerahu, që u çua në robëri nga Tilgath-Pilneseri, mbret i Asirisë. Ai ishte princ i Rubenitëve.
7 Vëllezërit e tij, sipas familjeve të tyre, ashtu siç janë rreshtuar në gjenealogjinë sipas brezave të tyre, ishin i pari Jejeli, pastaj Zakaria,
8 Bela, bir i Azazit, birit të Shemas, i cili ishte bir i Joelit, që banonte në Aroer dhe deri në Nebo dhe në Baal-Meon.
9 Dhe ata u vendosën në perëndim duke arritur deri në fillim të shkretëtirës, nga kjo anë e lumit Eufrat, sepse bagëtia e tyre ishte shumëzuar në vendin e Galaadit.
10 Në kohën e Saulit ata u shpallën luftë Hagarenëve, të cilët i mundën; pastaj u vendosën në çadrat e tyre, të ngritura në tërë pjesën në perëndim të Galaadit.
11 Bijtë e Gadit banonin përballë tyre në vendin e Bashanit, deri në Salkah.
12 Joeli ishte i pari i tyre, i dyti ishte Shafami, pastaj vinin Janai dhe Shafati në Bashan.
13 Vëllezërit e tyre, sipas shtëpive atërore të tyre, ishin: Mikaeli, Meshulami, Sheba, Jorai, Jakani, Zia dhe Eberi, gjithsej shtatë.
14 Ata ishin bij të Abihailit, birit të Hurit, birit të Jaroahut, birit të Galaadit, birit të Mikaelit, birit të Jesishait, birit të Jahdos, birit të Buzit;
15 Ahi, bir i Abdielit, birit të Gunit, ishte i pari i shtëpisë së tyre prindërore.
16 Ata banonin në Galaad dhe në Bashan, në fshatrat e tij dhe në të gjitha tokat për kullotë të Sharonit deri atje ku shtriheshin.
17 Të gjitha këto toka u regjistruan në listat gjenealogjike të përpiluara në kohën e Jothamit, mbretit të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, mbretit të Izraelit.
18 Bijtë e Rubenit, Gaditët dhe gjysma e fisit të Manasit kishin dyzet e katër mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë njerëz trima, njerëz që mbanin mburoja dhe shpata, përdornin harkun dhe ishin të stërvitur
19 Ata u shpallën luftë Hagarenëve, Jeturëve, Nafishëve dhe Nodabëve.
20 Ata u ndihmuan kundër tyre, sepse gjatë betejës i thirrën Perëndisë, që e dëgjoi lutjen e tyre, sepse ata kishin pasur besim tek ai; kështu Hagarenët dhe tërë ata që ishin bashkë me ta u dorëzuan në duart e tyre.
21 Pastaj ata muarrën bagëtinë e tyre: pesëdhjetë mijë deve, dyqind e pesëdhjetë mijë dele, dy mijë gomarë dhe njëqind mijë njerëz.
22 Në të vërtetë shumë njerëz ranë të vrarë, sepse këtë luftë e kishte dashur Perëndia. Ata u vendosën pastaj në vendin e tyre deri sa ranë në robëri.
23 Kështu bijtë e gjysmës së fisit të Manasit banuan në vend; ata u shtrinë nga Bashani deri në Baal-Hermon, në Senir dhe në malin Hermon.
24 Këta ishin krerët e shtëpive të tyre atërore: Eferi, Ishi, Elieli, Azrieli, Jeremia, Hodavia dhe Jahdieli, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, krerë të shtëpive të tyre atërore.
25 Por ata u treguan jobesnikë ndaj Perëndisë të etërve të tyre dhe u kurvëruan, duke shkuar pas perëndive të popujve të vendit që Perëndia kishte shkatërruar para tyre.
26 Prandaj Perëndia i Izraelit nxiti frymën e Pulit, mbretit të Asirisë, domethënë frymën e Tilgath-Pilniserit, mbretit të Asirisë, që internoi Rubenitët, Gaditët dhe gjysmën e fisit të Manasit, dhe i vendosi në Halah, në Habor, në Hara dhe pranë lumit të Gozanit, ku gjenden edhe sot.