1 Atëherë populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, dhe e bëri mbret në Jeruzalem në vend të atit të tij.
2 Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem.
3 Mbreti i Egjiptit e hoqi nga froni në Jeruzalem dhe i vuri vendit një gjobë njëqind talentash argjendi dhe një talent ari.
4 Pastaj mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit vëllanë e tij Eliakimin, të cilit ia ndërroi emrin dhe e quajti Jehojakim. Neko përkundrazi mori vëllanë e tij Jehoahaz dhe e çoi në Egjipt.
5 Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.
6 Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, doli kundër tij dhe e lidhi me zinxhira prej bronzi për ta çuar në Babiloni.
7 Nebukadnetsari çoi gjithashtu në Babiloni një pjesë të sendeve të shtëpisë të Zotit dhe i vuri në pallatin e tij në Babiloni.
8 Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit, gjërat e neveritshme që kreu dhe të gjitha ato që u gjetën kundër tij, ja, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës. në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.
9 Jehojakini ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj dhe dhjetë ditë në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.
10 Në fillim të vitit të ri mbreti Nebukadnetsar dërgoi ta marrë dhe e çoi në Babiloni me gjërat e çmuara të shtëpisë të Zotit. Pastaj bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit Sedekian, vëllanë e Jehojakinit.
11 Sedekia ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.
12 Edhe ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, dhe nuk u përul përpara profetit Jeremia, që fliste nga ana e Zotit.
13 Ai ngriti krye gjithashtu kundër mbretit Nebukadnetsar, që e kishte vënë të betohej në emër të Perësndisë por ai e mpiu zverkun e tij dhe ngurtësoi zemrën e tij, duke mos pranuar të kthehej tek Zoti, Perëndia i Izraelit.
14 Edhe tërë krerët e priftërinjve dhe populli mëkatuan gjithnjë e më tepër duke ndjekur të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve dhe e ndotën shtëpinë se Zotit, që ai u kishte shenjtëruar në Jeruzalem.
15 Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi atyre, që në fillim dhe me këmbëngulje, paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij, sepse donte ta shpëtonte popullin e tij dhe banesën e tij.
16 Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje.
17 Atëherë ai bëri që të dalin kundër tyre mbreti i Kaldeasve, që vrau me shpatë të rinjtë e tyre në shtëpinë e shenjtërores së tyre, pa pasur mëshirë për të riun, për virgjireshën, për plakun ose për flokëthinjurin. Zoti i dha të gjithë në duart e tij.
18 Nebukadnetsari solli në Babiloni të gjitha sendet e shtëpisë së Perëndisë, të mëdha ose të vogla, thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e mbretit dhe të parisë së tij.
19 Pastaj i vunë zjarrin shtëpisë të Perëndisë, rrëzuan muret e Jeruzalemit, u vunë flakën të gjitha pallateve të tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë.
20 Përveç kësaj Nebukadnetsari internoi në Babiloni ata që i kishin shpëtuar shpatës; këta u bënë shërbëtorë të tij dhe të bijve të tij deri në ardhjen e mbretërisë së Persisë,
21 që kështu të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremia, deri sa vendi të kremtonte të shtunat e tij. Në fakt ai kremtoi të shtunën për gjithë kohën e shkretimit të tij deri sa u mbushën të shtatëdhjetë vjetët.
22 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, me qëllim që të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremia, Zoti e nxiti frymën e Kirit, mbret të Persisë, që të nxirrte një dekret për
23 "Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t'i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem, që është në Judë. Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të dhe le të niset!".