Home

II i Kronikave

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36


-Reset+

Kapitull 9

1 Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për famën e Salomonit, ajo vajti në Jeruzalem për ta vënë në provë Salomonin me pyetje të vështira, e shoqëruar nga shumë njerëz, me deve të ngarkuara me
2 Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asnjë gjë të fshehur për Salomonin që ai nuk dinte ta shpjegonte.
3 Kur mbretëresha e Shebës pa diturinë e Salomonit dhe shtëpinë që kishte ndërtuar,
4 gjellërat e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamerierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe rrobat e tyre, si dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti e mahnitur.
5 Pastaj i tha mbretit: "Ishte, pra, e vërtetë ajo që kisha dëgjuar në vendin tim përsa u përket fjalëve të tua dhe diturisë sate.
6 Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa erdha vetë dhe i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, nuk më kishin thënë as gjysmën e vëllimit të diturisë sate. Ti e kalon famën që kisha dëgjuar të flitet.
7 Lum njerëzit e tu, lum këta shërbëtorë të tu që rrinë gjithnjë para teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!
8 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që të deshi, dhe të vuri mbi fronin e tij si mbret për Zotin, Perëndinë tënd! Duke qenë se Perëndia yt e do Izraelin dhe do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë, të ka vendosur si mbret mbi të që të ushtrosh gjykime dhe drejtësi".
9 Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talenta ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk pati kurrë më aroma si ato që mbretëresha e Shebës i dha mbretit Salomon.
10 Shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit që mbartnin ar nga Ofiri, suallën edhe dru santali dhe gurë të çmuar;
11 me drurin e santalit mbreti bëri shkallë për shtëpinë e Zotit dhe për pallatin mbretëror të tij; ai bëri gjithashtu qeste dhe harpa për këngëtarët. Asnjë vegël si këto nuk ishte parë më përpara në vendin e Judës.
12 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Shebas të gjithë gjërat e dëshiruara që ajo kërkoi, shumë më tepër nga ato që ajo i kishte sjellë mbretit. Pastaj ajo u kthye, duke shkuar me shërbëtorët e saj në vendin e vet.
13 Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,
14 përveç atij që merrte nga tregtarët; edhe tërë mbretërit e Arabisë dhe qeveritarët e vendit i sillnin Salomonit ar dhe argjend.
15 Mbreti Salomon urdhëroi të bëhen dyqind mburoja të mëdha prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre gjashtëqind sikla ari të rrahur,
16 dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, për secilën prej tyre përdori treqind sikla ari; pastaj mbreti i vendosi në pallatin e pyllit të Libanit.
17 Mbreti bëri gjithashtu një fron të madh prej fildishi, që e veshi me ar të kulluar.
18 Froni kishte shtatë shkallëza dhe një stol prej ari, që ishin të lidhura me fronin; kishte krahë në anët e fronit dhe dy luanë rrinin pranë krahëve.
19 Dymbëdhjetë luanë rrinin në të dy anët e skajeve të gjashtë shkallëzave. Asgjë e tillë nuk ishte bërë në një mbretëri tjetër.
20 Të gjitha kupat për pijet e mbretit Salomon ishin prej ari, madje edhe ato të pallatit të pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi në të vërtetë nuk kishte asnjë vlerë.
21 Sepse anijet e mbretit shkonin në Tarshish me shërbëtorët e Hiramit; dhe një herë çdo tre vjet vinin anijet e Tarshishit, duke sjellë ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.
22 Kështu mbreti Salomon ua kaloi për pasuri dhe dituri tërë mbretërve të dheut.
23 Tërë mbretërit e dheut kërkonin praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia i kishte vënë në zemër.
24 Secili prej tyre i çonte dhuratën e vet: sende argjendi, sende ari, rroba, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një sasi të caktuar çdo vit.
25 Salomoni kishte katër mijë stalla për kuajt dhe për qerret dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i shpërndau në qytetet për qerret dhe në Jeruzalem pranë tij.
26 Kështu ai sundoi mbi tërë mbretërit nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufi me Egjiptin.
27 Mbreti veproi në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi të ishte i rëndomtë si gurët dhe kedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fusha.
28 Salomonit i sillnin kuaj nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet.
29 Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Nathanit, profetit, në profecinë e Ahijahut nga Shilohu dhe në vegimet e Idos, shikuesit, mbi Jeroboamin, birin e Nebatit?
30 Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi tërë Izraelin dyzet vjet.
31 Pastaj Salomoni pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.