Home

MATEU

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28


-Reset+

Kapitull 19

1 Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galilea dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.
2 Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje.
3 Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: ''A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?''.
4 Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: ''A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?
5 Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm".
6 Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë''.
7 Ata i thanë: ''Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?''.
8 Ai u tha atyre: ''Moisiu ju lejoi t'i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.
9 Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën''.
10 Dishepujt e vet i thanë: ''Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet''.
11 Por ai u tha atyre: ''Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.
12 Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë''.
13 Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.
14 Por Jezusi tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve''.
15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.
16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: ''Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?''.
17 Dhe ai tha: ''Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet''.
18 Ai i tha: ''Cilat?''. Atëherë Jezusi i tha: ''Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,
19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''.
20 I riu i tha: ''Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?''.
21 Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''.
22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.
23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
24 Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.
25 Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: ''Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?''.
26 Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: ''Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur''.
27 Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: ''Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?''.
28 Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
30 Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.