Home

MATEU

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28


-Reset+

Kapitull 20

1 ''Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.
2 Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.
3 Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.
4 Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t'ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.
5 Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.
6 Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".
7 Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtë".
8 Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".
9 Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.
10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.
11 Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,
12 duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".
13 Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?
14 Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t'i jap këtij të fundit aq sa ty.
15 A nuk më lejohet të bëj me timen ç'të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".
16 Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.
17 Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:
18 ''Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.
19 Do t'ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet''.
20 Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.
21 Dhe ai i tha: ''Çfarë do?''. Ajo u përgjigj: ''Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde''.
22 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ''Po, mundemi''.
23 Atëherë ai u tha atyre: ''Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im''.
24 Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.
25 Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ''Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,
26 por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;
27 dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.
28 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.
29 Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.
30 Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit''.
31 Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!''.
32 Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: ''Çfarë doni të bëj për ju?''.
33 Ata i thanë: ''Zot, të na hapen sytë!''.
34 Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.