Home

Eksodi

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40


-Reset+

Kapitull 16

1 Pastaj ata u nisën nga Elimi dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit, që ndodhet midis Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë mbas nisjes së tyre nga vendi i Egjiptit.
2 Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë.
3 Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble".
4 Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo simbas ligjit tim.
5 Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë".
6 Atëherë Moisiu dhe Aaroni u thanë gjithë bijve të Izraelit: "Në mbrëmje do të mësoni që Zoti është ai që ju nxori nga vendi i Egjiptit;
7 dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Zotit, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër Zotit; por ne çfarë jemi që murmurisni kundër nesh?".
8 Moisiu tha akoma: "Kjo ka për të ndodhur, kur Zoti do t'ju japë mish për të ngrënë në mbrëmje dhe bukë që të ngopeni në mëngjes, sepse Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Po ne çfarë jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Zotit".
9 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"".
10 Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re.
11 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
12 "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: "Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"".
13 Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit.
14 Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.
15 Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njeri tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç'ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë.
16 Ja çfarë ka urdhëruar Zoti: Secili të mbledhë aq sa i duhet për ushqimin e tij, një omer për frymë, sipas numrit të personave që jeni; secili nga ju të marrë për ata që janë në çadrën e tij".
17 Bijtë e Izraelit vepruan kështu; disa prej tyre mblodhën më tepër dhe të tjerët më pak.
18 E matën me omerin; dhe kush kishte mbledhur shumë nuk pati tepricë; dhe kush kishte mbledhur më pak nuk pati mangut. Gjithkush mblodhi simbas nevojës së tij për ushqim.
19 Pastaj Moisiu u tha atyre: "Asnjeri të mos e lërë të teprojë për nesër në mëngjes".
20 Por ata nuk iu bindën Moisiut dhe disa prej tyre lanë teprica edhe për të nesërmen; ajo u kalb duke prodhuar krimba dhe doli një erë e keqe; dhe Moisiu u zemërua me ta.
21 Kështu e mblidhnin çdo mëngjes; secili sipas nevojës së tij për ushqim; por kur dielli bëhej i nxehtë, mana e mbledhur shkrihej.
22 Kështu ditën e gjashtë mblodhën një racion të dyfishtë buke, dy omerë për secilin prej tyre. Dhe të gjithë krerët e asamblesë erdhën për t'ia referuar Moisiut.
23 Atëherë ai u tha: "Kjo është ajo që ka thënë Zoti: Nesër është një ditë solemne pushimi, një e shtunë e shenjtë për Zotin; piqni sot atë që duhet të piqni dhe zieni atë që duhet të zieni; dhe çdo gjë që ju tepron, vëreni mënjanë dhe ruajeni deri nesër".
24 Ata pra e ruajtën deri të nesërmen, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu; dhe ushqimet e ruajtura nuk lëshuan erë të keqe dhe nuk prodhuan krimba.
25 Moisiu tha: "Hajeni sot, se sot është e shtuna e shenjtë e Zotit; sot nuk do ta gjeni nëpër fushat.
26 Mblidhni gjatë gjashtë ditëve; sepse ditën e shtatë nuk do ta gjeni më".
27 Dhe ditën e shtatë ndodhi që disa njerëz nga populli dolën për ta mbledhur, por nuk e gjetën.
28 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të kundërshtoni të zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjet e mia?
29 Mos harroni që Zoti ju ka dhënë të shtunën; për këtë arësye ditën e gjashtë ju jep bukë për dy ditë. Secili të qëndrojë në vendin e tij; asnjeri të mos dalë nga çadra e tij ditën e shtatë".
30 Kështu populli pushoi ditën e shtatë.
31 Dhe shtëpia e Izraelit e quajti Mana; ajo ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë.
32 Pastaj Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar: "Mbush me të një omer, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj, që ata të shohin bukën që ju bëra të hani në shkretëtirë, kur ju nxora nga vendi i Egjiptit"".
33 Moisiu i tha pastaj Aaronit: "Merr një enë, vër brenda saj një omer të plotë mane dhe vendose para Zotit, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj".
34 Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, Aaroni e vendosi para Dëshmisë, që të ruhej.
35 Dhe bijtë e Izraelit hëngrën manën dyzet vjet, deri sa arritën në një vend të banuar; hëngrën manën deri sa arritën në kufirin e vendit të Kanaanit.
36 Omeri është e dhjeta pjesë e efës.