Home

Eksodi

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40


-Reset+

Kapitull 21

1 "Tani këto janë ligjet që do t'u vësh para tyre:
2 Në rast se blen një skllav hebre, ai do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do të shkojë i lirë, pa paguar asgjë.
3 Në rast se ka ardhur vetëm, do të shkojë vetëm; po të kishte grua, e shoqja do të shkojë bashkë me të.
4 Në qoftë se zotëria e tij i jep grua dhe kjo i lind bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj do të jenë të zotërisë, dhe ai do të shkojë vetëm.
5 Por në qoftë se skllavi thotë haptazi: "Unë e dua zotërinë time, gruan time dhe fëmijët e mi, dhe nuk dua të shkoj i lirë",
6 atëherë pronari e tij do t'ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalka; pastaj pronari e tij do t'i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t'i shërbejë për gjithnjë.
7 Në rast se dikush shet bijën e tij si shërbëtore, ajo nuk do të shkojë ashtu si shkojnë skllevërit.
8 Në qoftë se ajo nuk i pëlqen zotërisë së saj, që e kishte marrë për vete, ai do ta lërë të shpengohet; por nuk do të ketë të drejtën tua shesë njerëzve të huaj, sepse kjo do t'ishte ta trajtosh me mashtrim.
9 Dhe në qoftë se e marton me birin e tij, do ta trajtojë në bazë të së drejtës të të bijave.
10 Në rast se merr një grua tjetër, ai nuk do të pakësojë ushqimin dhe veshmbathjen e saj, as edhe bashkëbanimin e saj.
11 Në rast se nuk bën këto tri gjëra për të, ajo do të shkojë pa dhënë asgjë, pa paguar çmim.
12 Kush rreh një njeri dhe për këtë shkak ky vdes, do të dënohet me vdekje.
13 Në qoftë se nuk i ka ngritur kurrfarë prite, por Perëndia ka bërë që t'i bjerë në dorë, unë do të caktoj një vend ku ai mund të gjejë strehë.
14 Në qoftë se ndokush vepron me paramendim kundër të afërmit të tij për ta vrarë me mashtrim, ti do ta shkëputësh edhe nga altari im, për të siguruar vdekjen e tij.
15 Kush rreh atin ose nënën e tij do të dënohet me vdekje.
16 Kush rrëmben një njeri dhe e shet, ose gjendet në duart e tij, do të dënohet me vdekje.
17 Kush mallkon të atin ose të ëmën do të dënohet me vdekje.
18 Në qoftë se dy njerëz zihen dhe njëri prej tyre godet tjetrin me gur ose me grusht dhe ky nuk vdes, por duhet të qëndrojë në shtrat,
19 dhe në se pastaj ngrihet dhe ecën jashtë duke u mbështetur me bastun, ai që e ka goditur do të nxirret i pafajshëm; do ta zhdëmtojë vetëm për kohën e humbur dhe do ta kurojë deri në shërim të plotë.
20 Në qoftë se dikush rreh skllavin ose skllaven e tij me bastun, dhe ai ose ajo i vdesin në dorë, zotëria do të dënohet;
21 por në rast se mbijeton një ose dy ditë, nuk do të dënohet, sepse është pronë e tij.
22 Në rast se disa grinden dhe rrahin një grua me barrë aq sa ajo të dështojë, por nuk pëson dëme të tjera, rrahësi do të gjobitet aq sa t'i kërkojë bashkëshorti i gruas; ai do të paguajë zhdëmtimin simbas përcaktimit të gjykatësve;
23 por po të jetë se rrjedh ndonjë dëm, do të japësh jetë për jetë,
24 sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,
25 djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje.
26 Në rast se dikush godet syrin e skllavit ose të skllaves së tij dhe ai humbet, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për syrin e humbur.
27 Dhe në rast se shkakton rënien e një dhëmbi skllavit ose skllaves së tij, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për dhëmbin e humbur.
28 Në rast se një ka godet për vdekje me brirët e tij një burrë ose një grua, kau duhet të vritet me gurë dhe mishi i tij nuk do të hahet; por i zoti i kaut do të konsiderohet i pafajshëm.
29 Por në qoftë se kau e kishte zakon prej kohësh të plagoste me brirët e tij dhe i zoti ishte paralajmëruar, por nuk e kishte mbajtur të mbyllur, dhe kau pastaj vret një burrë o një grua, kau do të vritet me gurë dhe i zoti gjithashtu do të vritet.
30 Në qoftë se i caktohet një çmim për shpengim, ai duhet të japë për të shpenguar jetën e tij aq sa i kanë caktuar.
31 Në qoftë se kau godet një bir ose një bijë, do të veprohet ndaj tij sipas po këtij ligji.
32 Në qoftë se kau godet një skllav ose një skllave, i zoti i kaut do t'i paguajë të zotit të skllavit tridhjetë sikla argjendi dhe kau do të vritet me gurë.
33 Në qoftë se dikush hap një gropë, ose dikush gërmon një gropë dhe nuk e mbulon, dhe një ka ose një gomar bien brenda,
34 pronari i gropës do ta paguajë zhdëmtimin; ai do t'i paguajë me para pronarit vleftën e kafshës dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij.
35 Në qoftë se kau i një njeriu godet për vdekje kaun e një tjetri, do të shitet kau i gjallë dhe do të ndahet çmimi i tij; edhe kau i ngordhur do të ndahet midis tyre.
36 Por në qoftë se dihet se ky ka e kishte zakon prej kohe të godiste me brirët, dhe i zoti nuk e ka mbajtur të mbyllur, ky do të paguajë ka për ka dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij".