Home

Eksodi

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40


-Reset+

Kapitull 40

1 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë:
2 "Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes.
3 Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel.
4 Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij.
5 Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit.
6 Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes.
7 Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të.
8 Do t'i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit.
9 Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë.
10 Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë.
11 Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh.
12 Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë.
13 Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift.
14 Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t'i veshësh me tunika,
15 do t'i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t'u japë priftëri përjetë, brez pas brezi".
16 Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.
17 Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli.
18 Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij.
19 Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
20 Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë;
21 e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
22 Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit.
23 Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
24 Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit;
25 dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
26 Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit,
27 dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
28 Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit.
29 Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
30 Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t'u larë.
31 Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët;
32 kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
33 Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij.
34 Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin.
35 Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin.
36 Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin;
37 por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej.
38 Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.?