Home

Isaia

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 58 59 60 61 62 63 64 65 66


-Reset+

Kapitull 28

1 Mjerë kurorës së kryelartësisë të të dehurve, të Efraimit dhe lules së fishkur të bukurisë së tij të lavdishme që ri mbi krye të luginës pjellore të atyre që i ka mposhtur vera!
2 Ja, Zoti ka një njeri të fortë dhe të fuqishëm, si një stuhi breshëri, si një tufan shkatërrues; si një aluvion ujërash të fuqishëm përmbytëse; ai do t'i hedhë për tokë me dorën e tij.
3 Kurora e kryelartësisë të të dehurve të Efraimit do të shkelet;
4 dhe lulja e fishkur e bukurisë së tij të lavdishme që rri mbi krye të luginës pjellore do të jetë si një fik i hershëm para verës që dikush e shikon; ai e gëlltit sapo e ka në dorë.
5 Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë një kurorë lavdie, një diadem i shkëlqyer për pjesën tjetër të popullit të tij,
6 një frymë drejtësie për atë që ulet për të gjykuar dhe forca e atyre që në betejë e sprapsin armikun deri te portat e tij.
7 Por edhe këta shkojnë sa djathtas aq edhe majtas për shkak të verës dhe u merren këmbët nga pijet dehëse; prifti dhe profeti lëkunden për shkak të pijeve dehëse, lëkunden sikur të kishin vegime, ngurrojnë në dhënien e vendimeve.
8 Tërë tryezat janë plot me të vjellura dhe me ndyrësira, nuk ka më një vend të pastër.
9 "Kujt dëshiron t'i mësojë diturinë? Kujt dëshiron t'ia bëjë të kuptueshëm mesazhin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo janë shkëputur nga sisa?
10 Sepse ka një urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, regull mbi regull, regull mbi regull, pak këtu dhe pak atje".
11 Në fakt do të ndodhë që me buzë që bëlbëzojnë dhe me një gjuhë tjetër Zoti do t'i flasë këtij populli.
12 Ai u kishte thënë: "Ja pushimi: vëreni të lodhurin të pushojë; këtu është fresk!". Por ata nuk deshën ta dëgjojnë.
13 Kështu fjala e Zotit u bë për ta urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu, pak atje, me qëllim që ata të binin mbrapsht, të bëheshin copë-copë, t'i zinte laku dhe të kapeshin.
14 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o tallës, që sundoni mbi këtë popull, që rri në Jeruzalem!
15 Ju thoni: "Kemi përfunduar një besëlidhje me vdekjen, kemi bërë një aleancë me Sheolin; kur rebeshi përmbytës do të kalojë, nuk do të arrijë deri te ne, sepse gënjeshtrën e kemi bërë strehën tonë dhe jemi fshehur prapa falsitetit".
16 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vendos si themel në Sion një gur, një gur të provuar, një kokë qosheje të çmuar, një themel të sigurt; ai që i beson atij nuk do të ngutet.
17 Unë do të vendos të drejtën si masë dhe drejtësinë si plumbçe; breshëri do të pastrojë strehën e gënjeshtrës dhe ujërat do të përmbytin strehën tuaj.
18 Besëlidhja juaj me vdekjen do të anulohet dhe aleanca juaj me Sheolin nuk do të qëndrojë; kur rrebeshi përmbytës do të kalojë, ju do të shkeleni prej tij.
19 Sa herë që do të kalojë, do t'ju kapë, sepse do të kalojë çdo mëngjes, ditën dhe natën, do të jetë një tmerr i vërtetë të dëgjosh vetëm të ta rrëfejnë.
20 Në fakt shtrati do të jetë i shkurtër për t'u shtrirë dhe mbulesa tepër e ngushtë për t'u mbuluar me të.
21 Sepse Zoti do të ngrihet si në malin e Peratsimit, do të zemërohet si në luginën e Gabaonit, për të plotësuar veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar, për të plotësuar punën e tij, punën e tij të pazakontë.
22 Mos u bëni, pra, tallës që lidhjet tuaja të mos përforcohen. Sepse unë kam dëgjuar nga ana e Zotit, e Zotit të ushtrive, se është vendosur shfarosja e plotë e gjithë vendit.
23 Vini vesh dhe dëgjoni zërin tim, tregohuni të kujdesshëm dhe dëgjoni fjalën time!
24 A nuk lëron tërë ditën bujku për të mbjellë? A vazhdon vallë, ta çajë dhe ta prashitë tokën e tij?
25 Mbasi ka sheshuar sipërfaqen e saj, a nuk mbjell koprën dhe nuk përhap barin e gjumit, nuk vë grurin në brazda, elbin në vendin e caktuar dhe grurin e fortë gjatë kufijve?
26 Perëndia i tij i tregon rregullin që duhet të ndjekë dhe e mëson.
27 Kopra nuk shihet me shirësen dhe nuk kalohet rrota e qerres mbi barin e gjumit; por koprën e rrahin me shkop dhe barin e gjumit me shufër.
28 Gruri për bukë duhet të shtypet; prandaj nuk shtypet për gjithnjë, por kalohen mbi të rrota të qerres dhe kuajt, por pa e shtypur.
29 Edhe kjo vjen nga Zoti i ushtrive, që është i mrekullueshëm në këshillat e tij dhe i madh për nga dituria".