Home

Isaia

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 58 59 60 61 62 63 64 65 66


-Reset+

Kapitull 41

1 Ishuj, mbani heshtje! Le të marrin forca të reja popujt; le të afrohen dhe pastaj të flasin. Të mblidhemi bashkë për të gjykuar!
2 "Kush e ka nxitur një nga lindja, duke e thirrur në këmbët e tij në drejtësi? Kush i dorëzoi kombet dhe i nënshtroi mbretërit? Ai ia jep si pluhur shpatës së tij dhe si kashtë e shpërndarë harkut të tij.
3 Ai i përndjek dhe ecën i sigurtë nëpër një rrugë mbi të cilën këmbët e tij nuk kanë shkelur kurrë.
4 Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe, me ata të fundit, do të jem po ai".
5 Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë.
6 Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: "Kurajo".
7 Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: "Mirë është" dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.
8 "Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim,
9 ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: "Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë".
10 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.
11 Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.
12 Ti do t'i kërkosh, por nuk do t'i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.
13 Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: "Mos u frikëso, unë të ndihmoj".
14 "Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj", thotë Zoti; "Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.
15 Ja, unë të bëj një shirëse të re me dhëmbë të mprehura; ti do të shish malet dhe do t'i katandisësh në pluhur, dhe do t'i bësh kodrat si byk.
16 Ti do t'i frysh, era do t'i çojë larg dhe shakullima do t'i shpërndajë; por ti do të gëzohesh te Zoti dhe do të përlëvdohesh tek i Shenjti i Izraelit.
17 Të mjerët dhe të varfërit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t'ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis.
18 Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash.
19 Do të mbjell në shkretëtirë kedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin,
20 me qëllim që ta shohin, ta dinë, ta konsiderojnë dhe ta kuptojnë të gjithë tok se dora e Zotit e ka bërë këtë gjë dhe i Shenjti i Izraelit e ka krijuar.
21 Paraqitni çështjen tuaj, thotë Zoti, parashtroni arsyetimet tuaja, thotë Mbreti i Jakobit.
22 Le t'i parashtrojnë dhe të na njoftojnë ç'ka për të ndodhur. Le të deklarojnë cilat ishin gjërat e kaluara, në mënyrë që të mund t'i shqyrtojmë dhe të njohim kryerjen e tyre; ose na njoftoni ç'ka për të ndodhur.
23 Na njoftoni ç'ka për të ndodhur në të ardhmen, dhe kështu do të mësojmë se jeni perëndi; po, na bëni të mirë apo të keqe në mënyrë që të mbetemi të habitur duke i parë bashkë.
24 Ja, ju jeni një hiç dhe vepra juaj nuk vlen asgjë; ai që ju zgjedh kryen një gjë të neveritshme.
25 Unë thirra dikë nga veriu, dhe ai ka për të ardhur, nga lindja ai do të përmëndë emrin tim; do t'i shkelë princat sikur të ishin prej argjile, ashtu siç vepron poçari që e ngjesh baltën.
26 Kush e shpalli këtë që në krye me qëllim që ta dinim, shumë më parë që të mund të thonim: "A është e drejtë"? Por nuk ka njeri që ta ketë njoftuar këtë gjë, njeri që ta ketë shpallur, njeri që të ketë dëgjuar fjalët tuaja.
27 E shpalla i pari në Sion: "Shikoni, ja ku janë!", dhe në Jeruzalem dërgova një lajmëtar me lajme të mira.
28 Shikova, por nuk kishte asnjë, vërtetë asnjë midis tyre që të dinte të jepte një këshillë, apo, i pyetur, mund të më jepte një përgjigje.
29 Ja, të gjithë këta janë kot; veprat e tyre janë një hiç dhe shtatoret e tyre janë erë dhe gjëra pa kurrfarë vlere".