Home

Isaia

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 58 59 60 61 62 63 64 65 66


-Reset+

Kapitull 53

1 Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?
2 Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim.
3 I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.
4 Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.
5 Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.
6 Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.
7 I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.
8 U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim?
9 Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.
10 Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.
11 Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre.
12 Prandaj do t'i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.