1 Po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, ndodhi që Hananiahu, bir i Azurit, profetit, që ishte nga Gabaoni, më foli në shtëpinë e Zotit,
2 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë.
3 Brenda dy vjetëve unë do të bëj që të kthehen në këtë vend të gjitha orenditë e shtëpisë së Zotit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, mori nga ky vend dhe i çoi në Babiloni.
4 Do të kthej gjithashtu në këtë vend", thotë Zoti, "Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbret i Judës, me gjithë të internuarit e Judës që kanë shkuar në robëri në Babiloni, sepse do të thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë".
5 Atëherë profeti Jeremia iu përgjigj profetit Hananiah në prani të priftërinjve dhe në prani të të gjithë popullit që gjendej në shtëpinë e Zotit.
6 Profeti Jeremia tha: "Amen! Kështu le të bëjë Zoti! Zoti realizoftë atë që ke profetizuar, duke bërë që të kthehen nga Babilonia në këtë vend orenditë e shtëpisë së Zotit dhe të gjithë ata që janë çuar në robëri!
7 Megjithatë dëgjo tani këtë fjalë që do të të them para veshëve të tu dhe para veshëve të gjithë popullit.
8 Profetët që kanë ardhur para meje dhe para teje, që nga kohët e lashta kanë profetizuar kundër shumë vendeve dhe kundër mbretërive të mëdha, luftën, urinë dhe murtajën.
9 Profeti që profetizon paqen, kur fjala e tij do të realizohet, do të njihet si një profet i vërtetë i dërguar nga Zoti".
10 Atëherë profeti Hananiah mori zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia dhe e copëtoi.
11 Pastaj Hananiahu foli në prani të të gjithë popullit, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Në këtë mënyrë unë do të thyej zgjedhën e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, brenda dy vjetëve, nga qafa e të gjitha kombeve. Profeti Jeremia iku nëpër rrugën e tij.
12 Mbasi profeti Hananiah theu zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia, fjala e Zotit iu drejtua Jeremia, duke thënë:
13 "Shko dhe i thuaj Hananiahut: Kështu thotë Zoti: Ti ke thyer disa zgjedha prej druri, por në vendin e tyre ke krijuar zgjedha prej hekuri.
14 Kështu në fakt thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë vë një zgjedhë prej hekuri mbi qafën e tërë këtyre kombeve që t'i shërbejnë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ata do t'i shërbejnë. Atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fushës".
15 Pastaj profeti Jeremia i tha profetit Hananiah: "Dëgjo, Hananiah, Zoti nuk të ka dërguar, dhe ti e ke shtyrë këtë popull t'i besojë gënjeshtrës.
16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të të përzë nga faqja e dheut. Sivjet ke për të vdekur, sepse ke folur për rebelim kundër Zotit"".
17 Profeti Hananiah vdiq po atë vit, në muajin e shtatë.