1 Fjala që i drejtua nga Zoti Jeremia, kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, me gjithë ushtrinë e tij dhe tërë mbretëritë e tokave mbi të cilat ai sundonte dhe gjithë popujt luftonin kundër Jeruzalemit
2 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shko dhe foli Sedekias, mbretit të Judës dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë ia jap këtë qytet në dorë mbretit të Babilonisë, i cili do ti vërë flakën.
3 Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të kapesh me siguri dhe do të biesh në pushtetin e tij; sytë e tu do të shohin sytë e mbretit të Babilonisë, ai do të të flasë ballë për ballë dhe ti do të shkosh në Babiloni".
4 Megjithatë dëgjo fjalën e Zotit, o Sedekia, mbreti i Judës: "Kështu thotë Zoti për ty: Nuk ke për të vdekur nga shpata.
5 Por do të vdesësh në paqe; dhe ashtu si dogjën aroma për etërit e tu, mbretërit e lashtë që ishin para teje, kështu do të djegin aroma për ty dhe do të mbajnë zi duke thënë: "Vaj medet, Zot!". Po, unë e shqiptova këtë fjalë", thotë Zoti.
6 Profeti Jeremia ia tha tërë këto fjalë Sedekias, mbretit të Judës, në Jeruzalem,
7 ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë luftonte kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës që akoma ekzistonin, domethënë kundër Lakishit dhe Azekahut, që ishin të vetmet qytete të fortifikuara që mbetën nga qytetet e Judës.
8 Kjo është fjala që iu drejtua Jeremia nga Zoti, mbas përfundimit të një besëlidhjeje nga mbreti Sedekia me tërë popullin që ishte në Jeruzalem për tu shpallur atyre lirinë:
9 domethënë që secili t'i linte të lirë skllevërit e tij hebrenj, meshkuj ose femra, burra ose gra, me qëllim që askush të mos mbante më si skllav ndonjë vëlla të tij jude.
10 Tërë princat dhe tërë populli që kishin pranuar besëlidhjen, pranuan t'i lëshojnë të lirë skllavin ose skllaven e vet dhe të mos i mbajnë më në skllavëri, dhe kështu i liruan.
11 Por më vonë ndryshuan mendim dhe bënë që të rikthehen skllevërit dhe skllavet që i kishin lëshuar të lirë dhe i nënshtruan përsëri si skllevër dhe skllave të tyre.
12 Fjala e Zotit iu drejtua pastaj Jeremia nga Zoti, duke thënë:
13 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë lidha një besëlidhje me etërit tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga shtëpia e robërisë, duke thënë:
14 Në krye të shtatë vjetëve secili do të lëshojë të lirë vëllanë e tij hebre që i është shitur atij; ai do të të shërbejë gjashtë vjet, pastaj do ta lësh të lirë. Por etërit tuaj nuk mu bindën dhe nuk ma vunë veshin.
15 Ju sot nisët të bëni atë që është e drejtë në sytë e mi, duke shpallur secili lirinë e vëllait të vet, dhe keni lidhur një besëlidhje para meje, në tempull, ku përmendet emri im.
16 Por më vonë keni ndryshuar mendim dhe keni përdhosur emrin tim, sepse secili ka bërë të kthehet skllavi i tij apo skllavja e tij, dhe i keni nënshtruar në mënyrë që të jenë skllevër apo skllave tuaja".
17 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ju nuk më jeni bindur duke shpallur secili lirinë e vëllait të tij dhe e të të afërmit të tij. Tani ja, unë ju shpall lirinë", thotë Zoti, "për shpatën, për murtajën dhe për urinë dhe do t'ju braktis që t'ju keqtrajtojnë në të gjitha mbretëritë e dheut.
18 Dhe do ti jap njerëzit që kanë shkelur besëlidhjen time dhe nuk kanë zbatuar fjalët e besëlidhjes që kishin lidhur para meje, duke kaluar në mes pjesëve të viçit që e kishin ndarë më dysh:
19 princat e Judës dhe princat e Jeruzalemit, eunukët, priftërinjtë dhe tërë populli i vendit që kaluan në mes të pjesëve të viçit,
20 do t'i jap në dorë të armiqve të tyre dhe në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre; dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës.
21 Do të jap Sedekian, mbretin e Judës, dhe princët e tij në dorë të armiqve të tyre, në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre dhe në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që është larguar nga ju.
22 Ja, unë do të jap urdhrin", thotë Zoti, "dhe do të bëj që të kthehen kundër këtij qyteti, do të luftojnë kundër tij, do ta shtien në dorë, do t'i vënë flakën; dhe do t'i bëj qytetet e Judës një shkreti pa banorë".