1 Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim!
2 Ah, sikur të kisha në shkretëtirë një strehë për udhëtarët! Do ta braktisja popullin tim dhe do të shkoja larg tij, sepse janë të gjithë shkelës të kurorës, një turmë tradhtarësh.
3 "Zgjasin gjuhën e tyre sikur të ishte harku i tyre për të lëshuar gënjeshtra; në vend janë të fortë, por jo për shkak të së vërtetës, sepse shkojnë nga një e keqe në tjetrën dhe nuk më njohin mua", thotë Zoti.
4 "Të ruhet secili nga fqinji i tij dhe mos i keni besim çdo vëllai, sepse çdo vëlla nuk bën gjë tjetër veçse mashtron dhe çdo fqinj përhap shpifje.
5 Secili mashtron fqinjin e tij dhe nuk thotë të vërtetën; e ushtron gjuhën e tij për të thënë gënjeshtra dhe mundohet për të bërë të keqen.
6 Banesa jote është në mes të mashtrimit dhe për shkak të mashtrimit nuk duan të më njohin", thotë Zoti.
7 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t'i rafinoj dhe do t'i vë në provë. Çfarë tjetër, pra, mund të bëj për bijën e popullit tim?
8 Gjuha e tyre është një shigjetë vrasëse; ajo nuk thotë veçse gënjeshtra. Me gojën e vet secili i flet për paqe fqinjit të tij, por në zemër të vet, ai rri në pritë.
9 A nuk duhet vallë t'i dënoj për këto gjëra?", thotë Zoti. "A nuk duhet të hakmerrem me një komb të tillë?".
10 Nëpër malet do të ngre vaje dhe rënkime dhe nëpër kullotat e shkretëtirës një vajtim, sepse janë djegur dhe nuk kalon asnjeri nëpër to, nuk dëgjohet më blegërima e kopeve. Zogjtë e qiellit dhe kafshët kanë ikur, janë zhdukur.
11 "Unë do t'a katandis Jeruzalemin në një tog gërmadhash dhe në një strehë çakejsh; do t'i bëj të shkreta, pa banorë, qytetet e Judës".
12 Cili është njeriu i urtë që mund t'i kuptojë këto gjëra dhe ai të cilit goja e Zotit i ka folur që ta shpallë? Pse vallë vendi është shkatërruar dhe shkretuar si një shkretëtirë dhe nuk po kalon më askush nëpër të?
13 Zoti thotë: "Sepse këta kanë braktisur ligjin tim që kisha vënë përpara, nuk dëgjuan zërin tim dhe nuk kanë ecur në përshtatje me të,
14 por kanë ndjekur kryeneçësinë e zemrave të tyre dhe Baalët, që etërit e tyre u kishin bërë të njohur".
15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta ushqej këtë popull me pelin dhe do ta bëj të pijë ujë të helmuar.
16 Do t'i shpërndaj nëpër kombet, që as ata as etërit e tyre nuk i kanë njohur, dhe do të dërgoj pas tyre shpatën, deri sa t'i kem shkatërruar plotësisht".
17 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mendoni të thërrisni vajtorët: le të vijnë! Shkoni e thërrisni më të zonjat: le të vijnë!
18 Le të nxitojnë dhe ta nisin vajin mbi ne me qëllim që sytë tonë të derdhin lot dhe qepallat tona të lëshojnë ujë".
19 Sepse një zë vaji dëgjohet nga Sioni: "Sa jemi shkatërruar! Jemi shumë të shushatur, sepse duhet të braktisim vendin, sepse kanë shembur banesat tona".
20 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o gra, dhe veshi juaj ta zërë fjalën e gojës së tij. U mësoni bijave tuaja një vajtim dhe secila t'i mësojë fqinjës së saj një këngë mortore.
21 Sepse vdekja është ngjitur nëpër dritaret tona, ka hyrë në pallatet tona për t'i zhdukur fëmijët nga rruga dhe të rinjtë nga sheshet.
22 "Fol: Kështu thotë Zoti: "Kufomat e njerëzve do të rrinë si pleh në fushën e hapët, si një demet i lënë pas nga korrësi dhe qëaskush nuk e mbledh"".
23 Kështu thotë Zoti: "I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij.
24 Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra", thotë Zoti.
25 "Ja, po vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të ndëshkoj të gjithë të rrethprerët që janë të parrethprerë:
26 Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, Moabin dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës dhe banojnë në shkretëtirë; sepse tërë kombet janë të parrethprerë dhe tërë shtëpia e Izraelit është me zemër të parrethprerë".