Home

Ezekiel

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48


-Reset+

Kapitull 18

1 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
2 "Çfarë keni ndër mend kur përdorni këtë proverb lidhur me vendin e Izraelit duke thënë: "Etërit kanë ngrënë rrushin e papjekur dhe dhëmbët e bijve të tyre janë mpirë"?
3 Ashtu si është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "nuk do ta përdorni më këtë proverb në Izrael.
4 Ja, të gjithë shpirtërat janë të mitë; si shpirti i atit ashtu dhe shpirti i birit janë të mitë. Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.
5 Në qoftë se dikush është i drejtë dhe zbaton ndershmërinë dhe drejtësinë,
6 në se nuk ha në male dhe nuk ngre sytë tek idhujt e shtëpisë së Izraelit, në rast se nuk prek gruan dhe fqinjët të tij dhe nuk i afrohet një gruaje kur ajo është e papastër,
7 në rast se nuk shtyp kërkënd, në qoftë se i kthen huamarrësit pengun e tij, në qoftë se nuk kryen asnjë grabitje, në rast se i jep bukën e tij të uriturit dhe mbulon me rroba atë që është lakuriq,
8 në rast se nuk jep hua me kamatë dhe nuk jep me fajde, në rast se heq dorë nga paudhësia, dhe gjykon me paanësi midis burrit dhe burrit,
9 në rast se ecën sipas statuteve të mia duke vepruar me besnikëri, ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar", thotë Zoti, Zoti.
10 Por në qoftë se i ka lindur një bir që përdor dhunë, që derdh gjak dhe i bën të vëllait ndonjë nga këto gjëra,
11 (ndërsa i ati nuk ka kryer asnjë nga këto gjëra), dhe ha në male dhe prek bashkëshorten e fqinjit të tij,
12 shtyp të varfërin dhe nevojtarin, kryen grabitje, nuk e kthen pengun, ngre sytë ndaj idhujve, kryen veprime të neveritshme,
13 jep me kamatë dhe me fajde, a do të jetojë vallë ai? Ai nuk do të jetojë. Duke qenë se ka kryer tërë këto veprime të neveritshme ai ka për të vdekur me siguri; gjaku i tij do të bjerë mbi të.
14 Por në rast se atij i lind një fëmijë që, duke parë tërë mëkatet e kryera nga i ati, i kupton, por nuk i kryen,
15 nuk ha në male, nuk i ngre sytë nga idhujt e shtëpisë së Izraelit, nuk prek gruan e fqinjit,
16 nuk shtyp njeri, nuk merr pengje, nuk kryen grabitje, por i jep bukën e tij të uriturit, vesh me rroba atë që është lakuriq,
17 e përmban dorën që të mos shtypë të varfërin, nuk merr as kamatë as fajde, respekton dekretet e mia dhe ecën në statutet e mia, ai nuk ka për të vdekur për shkak të paudhësisë së atit të tij; ai me siguri ka për të jetuar.
18 I ati, përkundrazi, duke qenë se ka shtypur dhe ka kryer grabitje në dëm të vëllait të tij dhe ka bërë atë që nuk është e mirë në mes të popullit të tij, ja, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij.
19 Megjithatë ju thoni: "Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?". Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar.
20 Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.
21 Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur.
22 Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t'i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton.
23 A ndjej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?", thotë Zoti, Zoti, "apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë?
24 Por në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësinë dhe imiton tërë gjërat e neveritshme që kryen i pabesi, a do të jetojë vallë ai? Në rast se tërë drejtësia që ka bërë nuk do të kujtohet më; për shkeljen që ka kryer dhe mëkatin që ka bërë, ai ka për të vdekur, për shkak të tyre.
25 Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Dëgjoni tani, o shtëpi e Izraelit: është pikërisht rruga ime që nuk është e drejtë ose janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?
26 Në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi dhe për këtë shkak vdes, ai vdes nga paudhësia që ka kryer.
27 Përkundrazi, në se i pabesi largohet nga pabesia që ndiqte dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai do ta shpëtojë shpirtin e tij.
28 Duke qenë se ka marrë parasysh të largohet nga të gjitha shkeljet që kryente, ai ka për të jetuar me siguri; nuk ka për të vdekur.
29 Megjithatë shtëpia e Izraelit thotë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". A janë pikërisht rrugët e mia që nuk janë të drejta, o shtëpi e Izraelit, janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?
30 Prandaj do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve të tij, o shtëpi e Izraelit", thotë Zoti, Zoti. "Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi.
31 Flakni larg jush tërë shkeljet tuaja që keni kryer dhe bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri. Pse vallë doni të vdisni, o shtëpi e Izraelit?
32 Unë në fakt nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes" thotë Zoti, Zoti. "Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni".