Home

Ezekiel

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48


-Reset+

Kapitull 31

1 Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e tretë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, i thuaj Faraonit, mbretit të Egjiptit dhe turmës së tij: Kujt i ngjet ti në madhështinë tënde?
3 Ja, Asiria jote ishte një kedër Libani, me degë të bukura, me hijen e një pylli, me trung të gjatë dhe me majë që ngrihej midis degëve të dëndura.
4 Ujrat e bënin të rritej, uji i nëndheshëm e kishte bërë të lartë, me lumenjtë e tij që rridhnin rreth e qark vendit ku ishte mbjellë, ndërsa u dërgonte rrëketë e tij tërë drurëve të fushës.
5 Prandaj lartësia e saj ishte ngritur mbi të gjithë drurët e fushës, degët e tij ishin shumuar, ato ishin zgjatur nga bollëku i ujrave gjatë rritjes së tij.
6 Tërë zogjtë e qiellit bënin folenë midis degëve të tij, tërë kafshët e fushës pillnin nën degët e tij, dhe të gjitha kombet e mëdhenj rrinin në hijen e tij.
7 Ishte i bukur në madhështinë e tij për gjatësinë e degëve të tij, sepse rrënja e tij ndodhej pranë ujrave të bollshme.
8 Kedrat nuk ia kalonin në kopshtin e Perëndisë, selvitë nuk arrinin të barazonin degët e tij dhe gështenjat nuk ishin as si degët e tij me gjethe; asnjë dru në kopshtin e Perëndisë nuk ishte i barabartë me të nga bukuria.
9 E kisha bërë të bukur në bollëkun e degëve të tij, prandaj e kishin zili të gjithë drurët e Edenit, që ndodheshin në kopshtin e Perëndisë".
10 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se është ngritur në lartësi dhe ka vënë majën e tij ndër degë të dendura dhe zemra e tij u bë krenare për shkak të lartësisë së tij,
11 do ta jap në dorë të kombit më të fuqishëm, me qëllim që të bëjë me të çfarë i pëlqen; unë e përzura për shkak të ligësisë së tij.
12 Të huajt, më të tmerrshmit e kombeve, e prenë dhe e braktisën; degët e tij kanë rënë në male dhe në të gjitha luginat, degët e tij ndodhen të thyera pranë të gjitha rrjedhave ujore të vendit; tërë popujt e dheut kanë zbritur duke u larguar nga hija e tij dhe e kanë braktisur.
13 Mbi rrënojat e tij vijnë e qëndrojnë tërë zogjt e qiellit dhe mbi degët e tij janë të gjitha kafshët e fushës,
14 kështu që asnjë dru i mbjellë pranë ujrave të mos krenohet për lartësinë e tij, të mos e nxjerrë më majën e tij midis degëve të dëndura dhe që asnjë dru që pi ujë të ngrihet me forcën e tij mbi lartësinë e tij, sepse të gjithë i janë caktuar vdekjes, thellësive të tokës, midis bijve të njerëzve, midis atyre që zbresin në gropë".
15 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ditën që zbriti në Sheol e bëra ditë zie; për të e mbulova humnerën, ndala lumenjtë e tij dhe ujrat e mëdha u ndalën; për të mbajti zi Libani dhe për të u thanë gjithë drurët e fushës.
16 Me zhurmën e rënies së tij i bëra të dridhen kombet, kur e bëra të zbresë në Sheol bashkë me ata që zbresin në gropë; dhe në thellësitë e tokës u përdëlluan të gjitha drurët e Edenit, më të zgjedhurit dhe më të bukurit e Libanit, të gjithë ata që pinin ujrat.
17 Edhe ata zbritën bashkë me të në Sheol në mes të atyre që u vranë nga shpata, po, ata që ishin krahu i tij dhe qëndronin në hijen e tij në mes të kombeve.
18 Kujt i ngjan ti, pra, për nga lavdia dhe madhështia midis drurëve të Edenit? Megjithatë u plandose bashkë me drurët e Edenit në thellësitë e tokës; do të qëndrosh në mes të të parrethprerëve, bashkë me ata që janë vrarë nga shpata. Ja ç'do t'i ndodhë Faraonit dhe gjithë turmës së tij", thotë Zoti, Zoti.