Home

Ezekiel

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48


-Reset+

Kapitull 30

1 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Vajtoni: "Medet, dita!".
3 Sepse dita është afër, është e afërt dita e Zotit; do të jetë një ditë me re, koha e kombeve.
4 Shpata do të bjerë mbi Egjipt dhe do të krijojë ankth në Etiopi kur në Egjipt të bien të plagosurit për vdekje, do të shpien larg pasuritë e tij dhe themelet e tij do të përmbysen.
5 Etiopia, Puti, Ludi, tërë përzierja e popujve të ndryshëm, Kubi dhe bijtë e vendeve aleate do të rrëzohen bashkë me ta nga shpata".
6 Kështu thotë Zoti: "Ata që përkrahin Egjiptin do të rrëzohen, krenaria e pushtetit të tij do të bjerë; nga Migdoli deri në Sienë do të bien aty nga shpata", thotë Zoti, Zoti.
7 "Do të shkretohen në mes të tokave të shkretuara dhe qytetet e tyre do të jenë në mes të qyteteve të shkatërruara.
8 Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do t'i vë zjarrin Egjiptit dhe të gjithë përkrahësit e tij do të shtypen.
9 Atë ditë do të nisen në praninë time lajmëtarë mbi anije, që do të trembin Etiopinë e shkujdesur; dhe një ankth i madh do t'i pushtojë ata si në ditën e Egjiptit. Po, ja gjëja është duke ndodhur".
10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do ti jap fund zhurmës së Egjiptit, me anë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë.
11 Ai dhe populli i tij bashkë me të, më të tmerrshmit midis kombeve, do të vijnë për të shkatërruar vendin; do të zhveshin shpatat e tyre kundër Egjiptit dhe do të mbushin vendin me të vrarë.
12 Do t'i thaj lumenjtë dhe do t'ia shes vendin njerëzve të këqij; dhe nëpërmjet të të huajve do ta bëj të shkretuar vendin dhe gjithçka ai përmban. Unë, Zoti, fola".
13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të shkatërroj idhujt dhe do t'i zhduk perënditë e rreme nga Nofi; nuk do të ketë më princ nga vendi i Egjiptit dhe do të kall frikën në vendin e Egjiptit.
14 Do të bëj të shkretuar Pathrosin, do t'i vë zjarrin Tsoanit, do të zbatoj gjykimet e mia mbi Nonë,
15 do ta derdh tërbimin tim mbi Sin, mbi kalanë e Egjiptit dhe do të shfaros turmat e Nosë.
16 Do t'i vë zjarrin Egjiptit: Sini do të shtrëmbërohet nga dhimbja, Noja do të shqyhet, Nofi do të jetë në ankth çdo ditë.
17 Të rinjtë e Avenit dhe të Pibesethit do të bien nga shpata dhe këto dy qytete do të shkojnë në robëri.
18 Në Tahpanhes dita do të erret, kur aty unë do të coptoj zgjedhat e imponuara nga Egjipti; dhe tek ajo do të mpaket krenaria e forcës së saj. Sa për atë, një re do ta mbulojë dhe bijat e saj do të shkojnë në robëri.
19 Kështu do të zbatoj gjykimet e mia mbi Egjiptin. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".
20 Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e parë, ditën e shtatë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
21 "Bir njeriu, unë theva krahun e Faraonit, mbretit të Egjiptit; dhe ja, nuk u lidh duke vënë ilaçe as u mbështoll me rrypa që ta bënin mjaft të fortë për të përdorur shpatën".
22 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, për t'ia coptuar krahët, si atë të fortin ashtu edhe krahun tashmë të thyer, dhe do ta bëj që t'i bjerë shpata nga dora.
23 Do t'i shpërndaj pastaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t'i përhap në vende të ndryshme.
24 Do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë dhe do t'i vë në dorë shpatën time, por do të coptoj krahët e Faraonit që do të rënkojë para tij, si rënkon një njeri i plagosur për vdekje.
25 Kështu do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë, por krahët e Faraonit do të rrëzohen; do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ti vë në dorë mbretit të Babilonisë shpatën time, dhe ky do ta shtrijë kundër vendit të Egjiptit.
26 Do t'i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t'i përhap në vende të ndryshme. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".